Artizanet e Lushnjes dhe punimet e tyre

Ruajtje e traditave kulturore, kalimi i tyre nga brezi në brez, mundësi punësimi dhe vetëpunësimi. Artizanet në fshatin Hysgjokaj, në Bashkinë e Lushnjës

Fatmira Xhepexhiu

“Bëj punime me grep dhe shtiza prej 40 vitesh, tani jam 54 vjeҫ. M’i ka mësuar nëna ime dhe asaj e jëma, gjyshja ime. 

Kam shumë dëshirë të marr pjesë me punime e mia në panaire”

Xhevahire Paja

“Më tërheq shumë puna e dorës. Punimet me grep i kam mësuar nga shoqet. Do doja të dilja në treg dhe të merrja pjesë në panaire.

Më pëlqen shumë që të kemi në Lushnjë, një qëndër të artizaneve, të mblidhemi të bisedojmë, të shkëmbejmë modelet dhe përvojat tona në punimet tona artistike”.

Meleqe Xhebexhiu

“Punimet me grep, shtiza dhe qëndisje i kam mësuar qëkur isha 14 vjec. M’i mësoi nëna ime, gjithë sa i kishte mësuar asaj e jëma, gjyshja ime. 

Edhe vajza e mia i kam mësuar unë vetë”

Vjollca Xhepexhiu

“Unë merrem me bujqësi sepse kam toka me agrume dhe ullishte, që I shes në treg. Por gjej kohë të bëj punë dore me grep dhe me shtiza.

“Qëndra e artizaneve të Lushnjës” që do të ngrihet nga projekti i “Refleksione”, i mbështetur nga Ambasada Gjermane,Tiranë do të na ndihmojë shumë që të ruajmë traditën tonë dhe t’ua përcjellim atë vajzave të reja.

Anife Toska

“Punoj me grep, bëj gjithcka: triko, kapuҫa, doreza. tantella. Ikam mësuar vetë. Nuk i shes, i bëj dhurata, Kam shumë dëshirë të shkoj në panaire , t’i tregoj punimet e mia që ato të gjejnë blerës”.

Lida Xhepexhiu

“Kam filluar të bëj punë me grep që kur isha 12 vjeÇ. Vij nga një familje e madhe, jemi 8 motra dhe një vëlla. Shikonim njëra – tjetrën dhe bënim punë artistike me grep. Nëna dinte vetëm tezgjahun dhe tjerrjen e leshit”

Talibe Xhepexhiu

“Merrem me bujqësi por edhe me punë dore. Nëna ime më mësoi punën me shtiza dhe grep. Nuk kam marre pjese ne panaire dhe dua të coj atje punimet e mia me shtiza që të gjej blerës dhe të marr të ardhura me punën time.

Forca krijuese e grave artizane në Bashkinë e Lushnjës nuk ka kufinj! Për të zhvilluar më tej potencialet e tyre krijuese dhe për të rritur aksesin e tyre në tregje, për të stimuluar ekonominë lokale, “Refleksione” po zbaton “Fuqizim i grave artizane – Nxitje e ekonomisë së komuniteteve lokale” të mbështetur nga Ambasada Gjermane,Tiranë. Projekti synon të rrisë aftësitë dhe njohuritë e artizaneve gra në Bashkinë e Lushnjës, të ruajë traditën e punimeve artistike në thurje me grep, thurje me shtiza, qëndisje dhe t’ia kalojë ato brezave të rinj, si dhe të fitojë njohuri dixhitale për marketingun dhe shitjen online të produkteve të tyre artizanale. Projekti promovon barazinë gjinore pasi zëri i artizaneve gra dhe vajza do të dëgjohet më shumë në familjet dhe komunitetet e tyre lokale. Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet lokale në kuadër të projektit, do të ngrihet “Qendra e artizaneve” Lushnjë, që do të shërbejë si hapësirë pune për gratë dhe vajzat artizane dhe si pikë takimi.